Daniele Giancane
Vështirësia qëndron te harmonia
Vështirësia qëndron te harmonia.
E thjeshtë që të takohesh,
Të këmbesh një përshëndetje,
Madje edhe një puthje,
Qoftë edhe tri, me miqtë e Lindjes.
Të pyes për punën,
Për dashurinë, fundjavën e shkuar.
Por vështirësia qëndron tek harmonia.
Në ç'thellësira
Mendimesh, emocionesh,
Lëviz biseda jonë?
Që të dy jemi të njëjtë
Në galaktikat e ëndrrës,
Sodisim qiejt, muret, gjinkallat,
Ndjejmë të ftohtët, ujvarat,
Tingujt e botës
Pandryshueshmërisht,
Apo mbajmë syze
Me numra të ndryshëm?
Tek të vështroj heshturazi, të zhbiroj.
Kap gjeste e ndërshenjëza -
Një oqean i tërë i së pathënës.
Ah sikur të të njihja përtej fjalëve,
Maskave e frigimeve!
Kërkoj veç harmonin,
Fytyrën time të tjetërt,
Pasqyrën tënde oqean drite.
Perktheu Shpetim Doda
No comments:
Post a Comment