RREFIMI I ARTISTIT
Nga Charles Baudelaire (shkëputur nga Spleen de Paris)
Sa depërtuese janë mbylljet e ditëve të vjeshtës! Ah! depërtuese gjer në dhimbje! sepse ka ca ndjesi të mrekullueshme ku turbulli s’e përjashton thellësinë; dhe ska majë më të mprehtë e therëse se ajo e Pafundësisë.
Ç’kënaqësi që ta zhysësh vështrimin tënd në pamatësinë e qiellit dhe detit! Vetmi, heshtje, pastërti e pashoqe e kaltërsisë! një velë e vogël drithëruese në horizont, dhe që për nga vogëlsia dhe veçimi imiton ekzistencën time të pashërueshme, melodia monotone e valës, të gjitha këto mendojnë nëpërmjet meje, apo unë mendoj nëpërmjet tyre (sepse në madhështinë e ëndërrimit, uni humbet shpejt !); ato mendojnë, them unë, por në mënyrë muzikore dhe piktoreske, pa dredhime, pa silogjizma, pa deduksione.
Sidoqoftë, këto mendime, që dalin nga unë apo ia behin nga gjërat, bëhen shumë shpejt tepër të fuqishme. Energjia në epsh krijon një pështjellim dhe një vuajtje pozitive. Nervat e mia tejet të tendosura s’japin tjetër veç drithërima çjerrëse e të dhimbshme.
Dhe tani thellësia e qiellit më shqetëson; kthjelltësia më acaron. Pandjeshmëria e detit, palëvizshmëria e shfaqjes, më revoltojnë… Ah! bukurinë, a duhet ta vuajmë përjetësisht, apo t’i ikim përjetësisht? Natyrë, magjepsëse e pashpirt, rivale gjithmonë fitimtare, më lë të qetë! Pusho, mos m’i tundo më dëshirat dhe mos ma ngacmo sedrën! Studimi i së bukurës është një duel ku artisti klith nga frika para se të dorëzohet.
Perktheu- Urim Negruti

No comments:
Post a Comment